Një studim i fundit, “AI 2027”, parashikon se në tetor të vitit 2027 do të arrijmë një pikë kthese vendimtare për të ardhmen e njerëzimit, për shkak të zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale. Studiuesit theksojnë dy rrugë të mundshme: ngadalësimi i zhvillimit për të shmangur rreziqet, apo vazhdimi pa frena për të mos mbetur pas në garën globale, sidomos përballë përparimeve teknologjike të Kinës.
Ky parashikim mbështeten në të dhëna dhe analiza të detajuara, pjesë e studimit me titullin “AI 2027”, i realizuar nga një grup kërkuesish të fushës së inteligjencës artificiale. Një nga emrat më të spikatur mes tyre është Daniel Kokotajlo, ish-punonjës i "OpenAI", i cili në vitin 2024 e braktisi kompaninë dhe deklaroi se kishte humbur besimin se ajo do të vepronte me përgjegjësi ndaj fuqisë që po krijonte.
Në këtë studim, zhvillimi i AI-së përshkruhet përmes një historie të ndërtuar mbi një kompani imagjinare të quajtur “OpenBrain”, emri i së cilës është një lojë fjalësh që kujton “OpenAI”. Kjo kompani krijon modele të inteligjencës artificiale të cilat nuk përdoren për tregti apo përfitime ekonomike, por vetëm për kërkime dhe zhvillim shkencor. Çdo model i ri, më i fuqishëm, përdoret për të ndihmuar në ndërtimin dhe trajnimin e modelit pasardhës, një proces që shkakton një rritje eksponenciale të kapacitetit të këtyre sistemeve.
Sipas skenarit të studimit, në më pak se tre vjet mund të arrijmë te një model i quajtur “Agent-4”, një AI aq e avancuar, saqë edhe duke funksionuar me shpejtësinë e një truri njerëzor, do të jetë cilësisht më e mirë se çdo studiues në botë në fushën e AI-së. Por ndikimi i kësaj teknologjie nuk do të ndalet vetëm në shkencë. Këto modele pritet të ndikojnë në të gjitha fushat strategjike: nga programimi dhe hakerimi, tek ndërtimi i armëve biologjike, madje deri edhe në marrjen e vendimeve politike.
Në fund të vitit 2027, pritet të shfaqet një “superinteligjencë artificiale” që do të tejkalojë njeriun në çdo aspekt mendor. Ky nuk është një skenar fantashkencor, por një paralajmërim i bazuar në të dhëna reale, që ngre pyetjen thelbësore: a jemi gati për të bashkëjetuar me një teknologji që mund të na tejkalojë? Dhe nëse jo, çfarë hapash duhet të ndërmarrim sot për të qenë të përgatitur për të nesërmen?