Një denoncim shqetësues ka mbërritur së fundmi në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar në Sarandë, i cili ngre alarmin për një situatë që përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë publike.
Sipas denoncimit, në taracën e një pallati shumëkatësh që ndodhet në zonën e njohur si “Rruga e 4-ërt”, janë grumbulluar një sasi e konsiderueshme mbeturinash dhe objektesh të ndryshme. Në fotot e dërguara shihen paleta druri, thasë të mbushur me materiale, karrige, dyshekë dhe komodina të vendosura në mënyrë të çrregullt, disa prej tyre fare pranë cepit të godinës, në një distancë më të vogël se një metër.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se poshtë pallatit ndodhet një trotuar që përdoret çdo ditë nga kalimtarët, si dhe disa dyqane aktive. Denoncuesi ngre shqetësimin se në rast stuhie apo erërash të forta, ekziston rreziku real që ndonjë nga këto objekte të rrëzohet nga lartësia, duke sjellë pasoja të rënda për qytetarët e pafajshëm.
“Imagjinoni një stuhi… Sarandë, Rruga e 4-ërt. Nuk jam i sigurt sa kohë kanë aty, por disa muaj me siguri po,” – shkruan qytetari në denoncimin e tij.
Thirrja në këtë rast shkon për institucionet lokale por edhe personat që i kanë lënë mbetjet në atë gjendje, që të marrin masa për t’i larguar sa më parë nga taraca, në mënyrë që të parandalohet ndonjë fatkeqësi e mundshme.