Banorët e fshatit Hotolisht në Elbasan kanë dalë sot në protestë, duke bllokuar rrugën që kalon nëpër fshat, në shenjë kundërshtimi ndaj projektit të aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë. Sipas tyre, rruga në versionin aktual do të prekë rreth 30 banesa, të cilat rrezikojnë shembjen.
Protestuesit kërkojnë transparencë nga autoritetet dhe propozojnë si zgjidhje ndërtimin e një tuneli, që do të minimizonte dëmet ndaj komunitetit dhe mjedisit. Ata gjithashtu shprehen të pakënaqur me vlerën e kompensimit të tokave, e cila është vendosur në 174 lekë për metër katror – një shumë që e konsiderojnë të papranueshme.
Zemërimi i banorëve është përqendruar edhe ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila nuk u paraqit në zonë, ndonëse ishte paralajmëruar një vizitë. "Është absurde që nuk u takua me ne", tha një protestues.
Në mungesë të një zgjidhjeje të drejtë dhe transparente, banorët paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve të 11 majit.