Liqeni i Kukësit po përballet me një ndotje të rëndë, duke u kthyer në një vend për depozitim masiv mbeturinash, që përbën një kërcënim serioz për jetën ujore dhe mjedisin përreth. Uji i liqenit tashmë është i ndotur në mënyrë alarmante, duke e bërë të rrezikshëm për çdo formë jete që zhvillohet në të.
Në një video të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, duket qartë se disa metra mbi urën e re, sipërfaqja e liqenit është e mbuluar nga mbeturina të ndryshme, qese plastike, bidona dhe mbetje të tjera, që notojnë lirshëm në ujë. Pamjet janë tronditëse dhe tregojnë qartë një mjedis të shpërfillur nga autoritetet.
Pranë bregut të liqenit shihet edhe një qytetar që përpiqet të peshkojë, mes mbetjeve të shumta. Sipas denoncuesit, pavarësisht gjendjes dramatike, institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për të ndaluar ndotjen apo për të ndërhyrë në pastrimin e liqenit. Përveç mbetjeve të zakonshme urbane, raportohet se në liqen derdhen edhe materiale inerte si dhe.
Në denoncimin e tij, qytetari shprehet:
“Asht shum i papaster nga derdhja e inerteve, ose nga pa pastertia qe mbartet nder vite qe asnje instuticion nuk merr masa per ta pastruar! Nuk dim nese ndonje her eshte marr ndonje fond per ta pastruar por gjendja flet vete! Gjithashtu dhe nivelinkete vit nuk ka shku aty ku duhet dhe ende nuk dihen shkaqet se pse.”
Ky problem i rëndë mjedisor vjen vetëm pak javë përpara nisjes së sezonit turistik, një periudhë gjatë së cilës liqeni i Kukësit pritet të frekuentohet nga vizitorë të shumtë, përfshirë edhe qytetarë nga Kosova që e përdorin atë për pushime verore. Ndotja aktuale jo vetëm që mund të ndikojë negativisht në fluksin e turistëve, por përbën gjithashtu një rrezik të madh për florën dhe faunën e liqenit.
Në këto kushte, kërkohet ndërhyrje urgjente nga autoritetet. Prokuroria duhet të nisë menjëherë një hetim për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i nxjerrë ata përpara drejtësisë, në mënyrë që ndotësit të marrin ndëshkimin që meritojnë dhe të ndërpritet njëherë e mirë shkatërrimi i një prej pasurive natyrore më të rëndësishme të zonës.