Pasditen e së shtunës, kantieri i ndërtimit të aeroportit të Vlorës është shndërruar sërish në një vendngjarje tragjike, pasi një tjetër punëtor ka humbur jetën gjatë punës.
Viktima është identifikuar si Dorian Hasani, 38 vjeç, i cili sipas njoftimit të Policisë ka rënë nga një lartësi gjatë punës në një strukturë ndërtimore, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Kjo nuk është ngjarja e parë fatale që ndodh në këtë kantier. Më 17 janar të këtij viti, një tjetër punëtor, Nusret Xhoka 60 vjeç nga Dibra, humbi jetën rreth orës 21:20 pasi u përplas nga një fadromë që po drejtohej nga një koleg i tij, Rrahman Sllamniku nga Prishtina. Të dy punonin për kompaninë ndërtuese “2A Group”.
Gjatë fazave të ndërtimit të aeroportit janë shënuar edhe incidente të tjera, me disa punëtorë të lënduar, duke ngritur shqetësime serioze mbi respektimin e masave të sigurisë në punë. Më herët, punonjës të ndryshëm kanë protestuar, madje kanë bllokuar hyrjen e kantierit për shkak të vonesave të rregullta në pagesat e tyre.
Kompania që po realizon ndërtimin e aeroportit është “Mabco Constructions SA”, në pronësi të oligarkut kosovar Behgjet Pacolli.
Ndërtimi i aeroportit është kundërshtuar gjithashtu nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, të cilat paralajmërojnë se projekti po shkakton dëme të mëdha në zonën e mbrojtur të Lagunës së Vjosë-Nartës dhe ekosistemet e saj të brishta.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:40, në fshatin Akërni, në ambientet e aeroportit të Vlorës, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga lartësia, gjatë punimeve në terminal, shtetasi D. H., 38 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të rastit, do të merren në pyetje shtetasit përgjegjës për punimet në aeroport.