Shqiptari dëshmitar i aksidentit të rëndë në Gjermani apelon për fatin e familjes nga Kosova

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.04.2025, 00:02

Një qytetar shqiptar me banim në Gjermani ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të ndarë shqetësimin e thellë mbi fatin e një familjeje shqiptarës nga Kosova të përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik të ndodhur rreth orës 14:30 të së premtes në Lindau, Gjermani, ku ai vetë ishte dëshmitar dhe ndihmoi në dhënien e ndihmës së parë.

Sipas dëshmisë së tij, në një nga automjetet e përfshira në aksident, një Benz me targa KN (Konstanz), ndodheshin pesë anëtarë të një familjeje nga Kosova, katër gra e vajza dhe një djalë rreth 13 vjeç. Fatkeqësisht, disa prej tyre, përfshirë një vajzë të re, janë në gjendje shumë të rëndë.

Shqiptari i quajtur Denis Ulaj bën apel për ndihmë dhe informacion mbi gjendjen e të lënduarve, duke theksuar se skena e aksidentit ka qenë jashtëzakonisht tronditëse.

Mesazhi i plotë i tij:

“Përshëndetje JOQ! Sot rreth orës 14:30 isha prezent në një aksident në Gjermani, në Lindau, ku dy makina u aksidentuan kokë më kokë dhe te makina e tipit Benz ishin 5 pjesëtarë të një familje të Kosovës dhe i dhamë ndihmën e parë.

Ishin 4 femra dhe një djalë rreth 13 vjeçar ku djali iu desh ndihma e zjarrfikësve. Por një nga vajzat ishte në gjendje shumë të rëndë sepse ishte e palidhur dhe kishte përfunduar nga vendi i pasëm në xhamin e parë të makinës. Do ju lutesha nëse keni ndonjë informacion nëse janë jashtë rrezikut për jetën. Jam shumë i shqetësuar nga gjendja e tyre, e sidomos të vajzës rreth 17-18 vjeçe.

Ajo e rrumbullaksuar është makina ku ndodhesha unë. Ai burri që ishte me makinë Audi doli nga krahu im dhe i goditi. Ishte skenë shumë e frikshme, s’më hiqet nga mendja rënkimet e tyre. Zoti i ndimoftë.

Mbrapa makinës kishin një flamur shqiptar me numrin 02 që në Kosovë është Mitrovicë-Vushtrri. Ju lutem nëse keni informacion për gjendjen e tyre, më shkruani. Targat ishin KN (Konstanz). Jetoj afër tyre, por nuk i njoh. Në vendngjarje erdhën 3 helikopterë dhe i kanë dërguar në spitale të ndryshme: Gjermani, Austri dhe Zvicër.

I kemi nxjerrë nga makina për ndihmën e parë. Shoferja nuk e ndjente gjysmën e poshtme të trupit. Kishte nënën në gjendje më stabile, por vëllai i saj rreth 13 dhe vajza e dajës ishin në gjendje shumë të rëndë. Kurse personi tjetër (po femër) ishte në gjendje më të lehtë. Ai me Audin ishte turk që i preu rrugën. Isha dy makina mbrapa te Benzi. 5 persona – 4 femra dhe një djalë – të gjithë nga Kosova.”

Sipas raportimeve nga mediat lokale në Gjermani, aksidenti ka ndodhur në rrugën B31 mes Weißensberg dhe Lindau, ku dy automjete janë përplasur ballë për ballë në një rrugë të drejtë. Sipas policisë, 6 persona janë plagosur rëndë, përfshirë një fëmijë 13-vjeçar.

Një pasagjer i palidhur me rrip sigurimi dhe drejtuesi i njërit prej automjeteve janë përplasur me xhamin e parë si pasojë e goditjes së fortë. Një tjetër person ka mbetur i bllokuar në automjet dhe është nxjerrë nga zjarrfikësit me mjete teknike.

Në vendin e ngjarjes u angazhuan 3 helikopterë mjekësorë dhe shumë autoambulanca. Të plagosurit janë transportuar për trajtim të specializuar në spitale në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Rruga B31 është mbyllur plotësisht për shkak të hetimeve dhe pastrimit të rrugës, ndërsa policia po heton shkaqet e aksidentit.

Nëse dikush ka informacion mbi gjendjen e kësaj familjeje kosovare, lutemi të kontaktoni redaksinë tonë, pasi dëshmitari është i tronditur dhe kërkon me çdo kusht të dijë nëse personat të cilëve u dha ndihmën e parë, sidomos vajza në gjendje të rëndë, janë jashtë rrezikut për jetën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit