Një qytetare nga Tirana ka denoncuar një situatë tepër shqetësuese që ka zgjatur prej rreth një viti, e cila lidhet me prishjen e qetësisë publike dhe mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet. Sipas saj, në rrugën e Dibrës, po zhvillohen prej kohësh punime ndërtimi me mjete të rënda, ku janë hapur tre gropa për ndërtime pallatesh njëra pas tjetrës.
Ajo shprehet se zhurmat nga makineritë e rënda janë të padurueshme, sidomos në mbrëmje, pasi punimet vazhdojnë deri në mesnatë, ndërkohë që familjet e zonës kanë fëmijë të vegjël dhe kanë nevojë për qetësi. Denoncuesja thotë se pavarësisht situatës që ka zgjatur gjatë gjithë vitit, nuk është marrë asnjë masë nga policia apo autoritetet përkatëse.
“Tek rruga e Dibrës, çdo ditë deri në mesnatë punohet. Jemi me fëmijë të vegjël dhe dëgjohet gjithçka! Çfarë bën policia për prishjen e qetësisë publike? Brenda një viti janë hapur tre gropa për pallate. S’po gjejmë qetësi! Njëra pas tjetrës, s’është marrë asnjë masë. Pushon një ditë, fillojnë prapë. Tani që flasim, vazhdojnë akoma! Vetëm nëse unë s’kam dijeni që ka ndonjë ligj që i lejon të punojnë deri natën. Ndërkohë, për të ngulur një gozhdë në mur të shtëpisë, s’të lënë të punosh pas orës 4!”
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve të reagojnë dhe të marrin masa për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e qetësisë publike, sidomos në lagje të banuara nga familje me fëmijë apo të moshuar që kanë nevojë për qetësi.