Një rast i rëndë neglizhence dhe zvarritjeje nga drejtësia shqiptare është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania. Prej më shumë se dy vitesh, një grup invalidësh tetraplegjikë nga Kamza janë në gjyq me Bashkinë në Gjykatën Administrative të Tiranës, duke kërkuar të drejtat e tyre të mohuara prej vitesh nga shteti. Konkretisht, bëhet fjalë për indeksimin e pagesave të tyre për vitet 2005–2013, një indeksim i cili parashikohet dhe detyrohet me ligj për çdo person me aftësi të kufizuar.
Çështja është regjistruar në Gjykatë që më 03 shkurt 2023, dhe gjyqtari përgjegjës për shqyrtimin e saj është Ramiz Lala. Por pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, vendimi përfundimtar ende nuk është shpallur. Sipas denoncuesit, seancat shtyhen pa arsye konkrete dhe procesi vazhdon të zvarritet, ndërkohë që pala paditëse (personat me aftësi të kufizuara) mbetet në pritje të një të drejte elementare.
Paditësit kërkojnë kompensimin e diferencave të papaguara për indeksimin e pagesave për 2005–2010, përcaktimin e përgjegjësisë institucionale, verifikimin e detyrimeve nga një ekspert kontabël dhe dënimin e palës së paditur me penalitete e shpenzime gjyqësore.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
“Invalidet Tetraplegjikë të Bashkisë Kamëz prej dy vitesh janë në gjyq me Bashkinë për marrjen e indeksimit të pagesës së tyre gjatë viteve 2005–2013 që ju ka takuar me ligj. Dhe gjyqi shtyhet nga gjyqtari Ramiz Lala pa asnjë arsye dhe nuk shpall vendimin përfundimtar… Invalidët janë shtresa më e diskriminuar nga shteti shqiptar, ku tani palë edhe drejtësia e korruptuar! Ja ku është data e regjistrimit të çështjes në Gjykatën Administrative… Kanë kaluar dy vite dhe gjyqtari nuk jep vendim. Indeksimi i pagave është i detyruar me ligj që t’u jepet çdo vit pensionistëve edhe invalidëve… Në këto vite nuk u është dhënë indeksimi i pagave siç u ka takuar me ligj dhe invalidët janë në gjyq me Bashkinë për këtë çështje… Tani gjykata e zvarrit!”
Në një shtet ku drejtësia duhej të ishte mbrojtësja e të pambrojturve, ky rast tregon qartë sesa larg jemi nga ky ideal.