Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar në Fier, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një ngjarje të rëndë të ndodhur në vitin 2021 në Genova.
Sipas hetimeve të karabinierëve, në gusht të vitit 2021, i riu ndoqi një 75-vjeçare italiane pasi i kishte bërë ngacmime të vazhdueshme brenda një autobusi. Më pas, i riu e ndoqi të moshuarën deri në banesën e saj, ku hyri me forcë, e goditi dhe më pas e përdhunoi atë. Para se të largohej, ai i vodhi edhe celularin të moshuarës.
Pas identifikimit, shqiptari u dënua në mungesë nga Gjykata e Apelit në Genova me 6 vite burg për dhunë seksuale, vjedhje dhe dëmtime fizike. Megjithatë, i riu ishte zhdukur dhe nuk ishte gjendur nga autoritetet italiane.
Pas hetimeve të mëtejshme, vendndodhja e tij u gjurmua në qytetin e Fierit dhe ndaj tij u lëshua një mandat arresti europian. Policia shqiptare ka bërë të mundur arrestimin e tij dhe pritet ekstradimi drejt Italisë.