Një tjetër rast alarmi për sigurinë ushqimore ka shpërthyer në Shqipëri. Sipas Sistemit Europian të Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF), në tregun shqiptar është shpërndarë sheqer palme i kontaminuar me dioksid squfuri, në nivele më të larta se ato të lejuara.
Produktet “Palmsugar slices TD bg 200g”, të prodhuara në Tajlandë dhe të importuara nga Holanda, u konstatua se përmbajnë alergen të rrezikshëm për shëndetin mbi normat e lejuara. Sipas mediave, pas njoftimit nga RASFF më 10 prill 2025, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndërmori një kontroll dhe zbuloj një detaj interesant: që produktet ishin të gjitha shitur. Po, e lexuat saktë – pas gjithë shqetësimit për dioksid squfur, ajo që zbuluan ishte thjesht se ato ishin shitur te konsumatorët, pa asnjë mundësi për të ndaluar veprimin në kohë.
Si përfundim, AKU njoftoi se, megjithatë, procedura është ndjekur “sipas protokollit të RASFF”. E megjithatë, duket se protokolli është: kontrollojmë, dhe sapo të gjejmë që është tepër vonë, shpallim "mision të kryer". Po siguria e konsumatorëve? Ndoshta ajo është për t’u kontrolluar ndonjëherë tjetër…