E Premtja e Madhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” – Përulësi, vajtim dhe shpresë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.04.2025, 19:17

E Premtja e Madhe është momenti kur Kisha qëndron me frymë të ndalur përpara misterit të Kryqit, varrimit dhe zbritjes në Hadh të Krishtit. Në këtë ditë, Zoti ynë Jesu Krisht pranon vuajtjen dhe vdekjen për shpëtimin e gjinisë njerëzore. Ai që është Jeta, hyn në varr për të shkatërruar vdekjen. Ai që është Drita, hyn në errësirë për të ndriçuar gjithësinë.

Shërbesa filloi në orën 18:00, kryesuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani duke bashkuar klerikët, korin Bizantin dhe një numër të madh besimtarësh në një atmosferë përulësie, reflektimi dhe përqendrimi shpirtëror. Në qendër të shërbesës qëndruan stancat e vajtimeve.

Të gjitha pësimet, vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes. Sepse Zoti nuk mbetet në varr, por ngjallet dhe me Të ngjallet gjithçka. Dhimbja e së Premtes është përgatitje për gëzimin e Pashkës.

Psalmet e së Premtes së Madhe mbartin një thellësi të jashtëzakonshme shpirtërore. Ja disa nga vargjet që u kënduan gjatë mbrëmjes:

'Ti, o Krisht, o Jetë, Ti u vure në varr, edhe forcat ëngjëllore çuditeshin, dhe lavdi këndonin për denjimin tënd.

Si po vdes, o Jetë, si rri brenda në varr, kur fuqinë e armikut e shtype krejt, dhe prej Ferrit të varrosurit i ngjall. Vdiq duke dashur, dhe u vu në dhé, dhe më ngjall, o Jisu Shpëtimtari im, që prej varrit të mëkatit tiranik.

Ty të meriton madhështimi, Ty, o Jetëdhënës, se mbi kryq për ne i ndeve sot duartë, dhe armikun e dërrmove plotësisht. Un’ e vetmja, midis grash, pa dhimbje të kam lindur, po tani kam dhimbje të paduruar, po thërriste Shën Maria me vajtim.

Si një pelikan, i plagosur me një shtizë në brinjë, i ushqen edhe i ngjall bijt’ e tu me gjak, dhe me çurka jetëplotë i vadit.

Gjithë gjeneratat, vaje të blatojnë, o Krishti im, mbi varrin. Miroprurëset erdhën, ta sërkatën varrin me lotë dhe me miro. Ngrënësit e masës, shajnë dhe shkelmojnë Atë që i ushqeu. Kur të pa të shtrirë, Nëna Virgjëreshë, me kujë të vajtonte.

O pranver’ e ëmbël, Biri im i dashur, ku e ke bukurinë! Ngrihu zemërdhembshur, dhe të gjithë ngrije nga gropat e Skëterrës. Ngrihu Jetëshënës, Nëna që të lindi të thoshte e përlotur.

Fali paqen Kishës, popullit shpëtimin, o Zot, me Ngjalljen Tënde.'

Në këtë natë të shenjtë, Kisha nuk qëndron vetëm pranë varrit të Krishtit – ajo qëndron në pritje të Ngjalljes. Në heshtjen e thellë të së Premtes së Madhe, ajo lutet me besim:

“Krishti që u kryqëzua — do të ngjallet dhe me ngjalljen e tij, I dhuron jetë gjithë qenies njerëzore.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit