Një video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë tonë, ku shfaqet një adoleshente duke drejtuar një automjet në mënyrë të papërgjegjshme. Fenomeni i të miturve në timon nuk është më një rast i rrallë – rrjetet sociale janë të mbushura me pamje të ngjashme, ku të rinjtë, pa patentë dhe pa përvojë, shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Rastet e aksidenteve të shkaktuara nga shoferë të moshës së re janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke ngritur shqetësimin e qytetarëve për mungesën e kontrollit dhe ndëshkimeve të rrepta ndaj këtyre shkeljeve.
Pavarësisht këtyre fakteve, shumë qytetarë pyesin: Pse policia nuk i kontrollon më rreptësisht drejtuesit e automjeteve, veçanërisht ata që duken të mitur? A ekziston një strategji për të frenuar këtë fenomen që po përhapet me shpejtësi?
Shkelja e ligjit nga persona të mitur në timon jo vetëm që përbën rrezik për sigurinë publike, por është edhe një alarm për prindërit dhe institucionet përgjegjëse. Kërkohet ndërhyrje urgjente dhe masa të forta parandaluese për të ndaluar këtë trend shqetësues.