Katër ditë më parë, JOQ Albania publikoi një denoncim të shoqëruar me pamje nga terreni, ku tregohej gjendja e rëndë e një segmenti rruge poshtë njërës prej urave të Unazës së Madhe të Tiranës, në afërsi të Shkozës. Rruga ishte mbuluar me baltë, gropa të shumta dhe mjete pune të braktisura, duke krijuar vështirësi të mëdha për qarkullimin.
“Pershendetje Joq, pa shkuar ne Shkoze tek Ura e Unazes se madhe, gjendja e rrugeve ne mjerim total. 2-3 here na eshte prishur makina. Mbetem ne servise,” shkruante një qytetar i shqetësuar në mesazhin e tij.
Pas publikimit të rastit, redaksia jonë ngriti pyetjen nëse institucionet përkatëse do të ndërhynin për të riparuar rrugën, sidomos në këtë periudhë fushate zgjedhore. Me sa duket, dëshira për vota është e lartë në këtë zonë dhe autoritetet, ndryshe nga pritshmëritë, kanë reaguar.
Aktualisht raportohet se gropat janë mbushur me çakull, duke përmirësuar përkohësisht kalueshmërinë e rrugës, megjithatë, asfalti ende nuk është shtruar. “U dëgjua fjala juaj,” shkruan një tjetër qytetar, i cili ka dërguar edhe foto që tregojnë gjendjen pas ndërhyrjes.
Kujtojmë se Unaza e Madhe u inaugurua me bujë në fund të vitit 2024, por pavarësisht përurimit zyrtar, punimet nuk janë përfunduar plotësisht. Disa prej hyrje-daljeve vijojnë të jenë jashtë funksionit, ndërsa qytetarët kanë raportuar vazhdimisht probleme me cilësinë dhe standardin e ndërtimit.
Gjendja e rrugës sot:
Denoncimi i parë: