Pas rasteve të mishit me salmonelë dhe luleshtrydheve me pesticide, Shqipëria po përballet me një tjetër skandal serioz në fushën e sigurisë ushqimore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka pranuar zyrtarisht se aflatoksina, një substancë e rrezikshme dhe kancerogjene, është zbuluar në disa mostra të qumështit të tregtuar për konsum.
Institucioni që momentalisht drejtohet nga Manush Kullolli ka konfirmuar se gjatë periudhës janar–prill 2025, 8 mostra të qumështit kanë rezultuar jokonforme për shkak të përmbajtjes së lartë të aflatoksinës M1.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë gjithë vitit 2024 u zbuluan dy mostra me përmbajtje të tejkaluar të aflatoksinës, ndërsa vetëm në katër muajt e parë të 2025-ës, numri i mostrave të kontaminuara është katërfishuar. Vlerat analitike të matura kanë shkuar deri në 0.882 µg/kg, shumë më tepër se normat e lejuara ligjërisht.
Në përgjigjen zyrtare të AKU thuhet se për produktet e pasigurta janë marrë masa administrative, përfshirë bllokimin dhe asgjësimin e produkteve, si dhe ndjekja e gjurmueshmërisë deri në nivelin e fermerit.
AKU nuk ka bërë publike emrat e kompanive të përfshira, por mediat kanë konfirmuar se bëhet fjalë për të paktën një nga kompanitë e mëdha të prodhimit të qumështit në vend.
Ministrja Anila Denaj nuk ka bërë asnjë njoftim publik mbi këtë skandal të ri të sigurisë ushqimore në vend.
Çfarë është aflatoksina?
Aflatoksina është një toksinë e prodhuar nga myku që zhvillohet në foragjere si misri, gruri apo drithëra të tjera. Kur gjedhët ushqehen me foragjere të kontaminuara, toksina sekretohet më pas në qumështin që ato prodhojnë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), aflatoksina është klasifikuar si kancerogjene e grupit 1, dhe ka efekte të rënda në mëlçi dhe veshka.
Ky zhvillim ka ngritur alarmin për nevojën urgjente të forcimit të kontrolleve ushqimore dhe transparencës institucionale në mbrojtje të shëndetit publik.