Skandal tjetër ushqimor/ Qumështi në Shqipëri me substanca kancerogjene

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.04.2025, 14:25

Problemet me sigurinë ushqimore në vendin tonë vijojnë të thellohen. Një tjetër rast shqetësues është bërë publik këtë javë: qytetarët shqiptarë kanë konsumuar qumësht të kontaminuar me aflatoksinë gjatë vitit 2024 dhe në muajt e parë të 2025-ës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se janë analizuar 26 mostra qumështi në periudhën janar 2024 – prill 2025. Nga këto, 10 mostra kanë rezultuar të pasigurta për konsum, pasi kanë tejkaluar normat e lejuara të aflatoksinës M1 – një substancë toksike që përbën rrezik për shëndetin e njeriut.

Sipas të dhënave zyrtare të AKU-së:

Në vitin 2024, janë identifikuar 2 mostra me përqendrim të lartë aflatoksine (0.203 µg/kg dhe 0.325 µg/kg).

Në periudhën janar – prill 2025, janë zbuluar 8 mostra jokonforme, me vlera që variojnë nga 0.150 µg/kg deri në 0.882 µg/kg.

AKU thekson se, pas konstatimit të rasteve janë marrë masa administrative sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndalimin dhe asgjësimin e produkteve të kontaminuara si dhe gjurmimin e origjinës së produktit deri në fermë. Por sasia e konsumuar nuk dihet ende.

Çfarë është aflatoksina dhe pse është e rrezikshme?

Aflatoksina është një toksinë e prodhuar nga myku që rritet kryesisht në drithëra si misri dhe gruri. Kur këto ushqime konsumohen nga bagëtitë, aflatoksina kalon në qumështin e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo substancë është klasifikuar si kancerogjene dhe ndikon negativisht në funksionin e mëlçisë dhe veshkave.

Ky rast i fundit i ndotjes me aflatoksinë i shtohet një sërë incidentesh të ngjashme me produkte të tjera ushqimore, si pulat me salmonelë apo frutat dhe perimet e kontaminuara me pesticide.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit