Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e Lundrës në Tiranë, ku katër persona mbetën të plagosur, përfshirë dy të mitur.
Hetuesit ngrenë dyshime të forta se ngjarja është e lidhur me atentatin në Pllanë të Lezhës, ku u vra Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit – ky i fundit i ekzekutuar më herët në Greqi dhe i njohur si rival i Ervis Martinajt.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se objektiv i atentatit në Lundër ka qenë gruaja e Roan Brahimit. Ajo lëviz me një mjet të ngjashëm me atë që ndodhej në vendin e ngjarjes dhe banon pranë familjes Demiraj, duke shtuar dyshimet se sulmuesit mund të kenë ngatërruar objektivin.
Por jo vetëm kaq pasi mjeti “G Class” në pronësi të familjes Demiraj dhe mjeti që përdorte gruaja e Roan Brahimit, kishin pothuajse të njëjtën targë, por u ndryshonte vetëm një shkronjë. Mjeti ndaj të cilit u qëllua kishte targën "AA 002 MD".
Të plagosur nga atentati mbetën Arenc Sefa, 34 vjeç, Klan Mullahi, 19 vjeç, si dhe dy të mitur, B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç. Të katërt ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur autorët dhe motivet e sulmit, ndërkohë që pista e hakmarrjes dhe përplasjes mes grupeve kriminale është kryesorja që po hetohet.