Një atentat i rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, ku katër persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 11-vjeçar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në zonën e rrethrrotullimit të Shkozës, gjatë kthimit të të rinjve nga Pjeza e Shijakut, ku kishin qenë për të festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit D.Demiraj.
Katër personat në automjetin tip “G-Class” me targë AB002MD, ishin djali dhe nipi i pronarit të kompanisë private të sigurisë “Pelikani Security”, një mik i tyre – Kian Mullahi, që studion në Londër – dhe shoferi i kompanisë, Arens Stafa, 34 vjeç.
Automjeti u qëllua me armë zjarri nga një fuoristradë tjetër në lëvizje, përgjatë Unazës së Madhe. Shoferi arriti ta shmangte ndjekjen dhe të sillte makinën deri në zonën e Lundrës, ku automjeti humbi kontrollin për shkak të dëmeve dhe u përplas.
Kalimtarët i dhanë ndihmën e parë të plagosurve dhe i transportuan me automjete private në Spitalin e Traumës.
Aktualisht, shoferi dhe Kian Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën, 17-vjeçari ndodhet në gjendje stabël, ndërsa 11-vjeçari është në gjendje të rëndë. Dy të rinjtë më të mëdhenj janë transferuar më pas në një spital privat për trajtim të mëtejshëm.
Nga kamerat e sigurisë dhe nga gëzhojat e gjetur dyshohet se autorët kanë qëlluar me mbi 30 plumba. Mendohet se kanë qenë 3 persona, 2 kanë qëlluar me armë, ndërsa i treti ka patur rolin e shoferit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.