Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku mbetën të plagosur 4 persona, midis tyre dy të mitur të moshës 11 dhe 17-vjeç, pasi automjeti ku ata po udhëtonin u qëllua me breshëri në afërsi të rrethrrotullimit të Shkozës.
Mësohet se një prej të plagosurve, 19-vjeçari Kian Mullahi, është djali i Elona Mullahit, anëtare e bordit të korporatave në Raiffeisen Bank dhe drejtoreshë e një dege të Raiffeisen Bank.
Ngjarja ndodhi teksa një automjet i kompanisë së sigurisë private “Pelikani Security” po lëvizte pranë rrethrrotullimit të Shkozës, dhe u qëllua me armë gjatë ndjekjes nga autorët. Pas të shtënave, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur, pasi drejtuesi dyshohet të ketë humbur ndjenjat.
Autorët u larguan me shpejtësi dhe më pas dogjën mjetin që përdorën për atentatin në zonën e Lundrës. Automjeti i djegur kishte targa AA 040 YV dhe është në proces verifikimi nga autoritetet.
Nga atentati mbetën të plagosur katër persona: Arens Stafa (34-vjeç), M.Demiraj (17-vjeç), D.Demiraj (11-vjeç) dhe Kian Mullahi (19-vjeç). Dy të miturit e plagosur janë djemtë e pronarit të “Pelikani Security”, siç raportuam më herët. Të plagosurit kanë marrë dëmtime në dorë dhe krah, ndërsa dy prej tyre janë futur në sallën e operacionit.
Drejtuesi i mjetit, 34-vjeçari Arens Stafa, është shoferi i familjes Demiraj, të cilët jetojnë në zonën rezidenciale Rolling Hills në Lundër.
Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të atentatit.