Trump i bindur: Do të arrijmë një marrëveshje shumë të mirë tregtare me Kinën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.04.2025, 21:31

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i bindur se SHBA do të arrijë një marrëveshje tregtare me Kinën, edhe pse momentalisht bisedimet mes dy superfuqive janë të bllokuara.

“Po, do të bëjmë një marrëveshje,” tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, kur u pyet nëse kishte ndërmend të telefononte presidentin kinez Xi Jinping. “Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje shumë të mirë me Kinën.”

Ndërkohë, Ministria e Tregtisë e Kinës i bëri thirrje SHBA-së të ndalë “presionin ekstrem” dhe të tregojë respekt në çdo negociatë. Por palët mbeten në ngërç.

Strategjia e Trump ka për qëllim që përmes marrëveshjeve me vende aziatike dhe të tjera aleate, të izolojë Kinën, të prishë zinxhirët e saj të furnizimit dhe ta detyrojë të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Administrata amerikane shpreson se shtimi i investimeve të huaja në SHBA dhe dalja e kompanive nga Kina do të shtojë presionin ndaj Pekinit.

Megjithatë, edhe aleatë të afërt të Trump e vënë në dyshim suksesin e kësaj strategjie, duke e konsideruar kontradiktore me qasjen “America First” dhe duke theksuar që Kina është e përgatitur për një luftë të gjatë tregtare.

Aktualisht, SHBA ka vendosur një tarifë të rëndë prej 145% ndaj importeve kineze, ndërkohë që Kina ka kundërpërgjigjur me tarifa deri në 125% dhe barriera të ndryshme jo-tarifore, përfshirë ndalimin e disa mallrave amerikane dhe kufizime për turistët kinezë që udhëtojnë në SHBA.

Megjithëse Trump ka sinjalizuar se dëshiron një marrëveshje dhe ka zbutur disa tarifa ndaj vendeve të tjera, Pekini mbetet sfidues dhe po thellon bashkëpunimin me vendet fqinje në Azinë Juglindore. Presidenti Xi së fundmi ka firmosur dhjetëra marrëveshje me Vietnamin dhe po viziton Malajzinë e Kamboxhian.

Në fund të fundit, Trump i ka bërë thirrje Kinës të bëjë lëvizjen e parë: “Topi është në fushën e Kinës. Ata kanë nevojë për marrëveshje me ne. Ne nuk kemi pse të bëjmë marrëveshje me ta,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, duke cituar fjalët e Trump.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit