Një aksident tragjik ka ndodhur në teleferikun e "Monte Faito"-s, që përshkon qytetin e Napolit, ku humbën jetën katër persona, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Aksidenti ndodhi në Castellammare di Stabia. Një nga kabllot e teleferikut "Monte Faito" u prish pak pas orës 15:00 dhe dy kabina, ku ndodheshin 16 persona – përfshirë turistë dhe punëtorë – mbetën pezull në ajër. Kabina më e afërt me stacionin malor, ku ndodheshin pesë persona, rrëshqiti dhe u përplas me shtyllën e parë. Si pasojë, katër prej tyre humbën jetën, ndërsa një tjetër u plagos rëndë dhe u dërgua në spital.
Pas aksidentit tragjik, Prokuroria Publike e Torre Annunziata hapi një hetim dhe vendosi sekuestrimin e teleferikut. Kabina e rrëzuar u lokalizua nga një helikopter i zjarrfikësve, megjithëse kërkimet u vështirësuan për shkak të mjegullës së dendur. Rreth orës 17:00 u ndërprenë komunikimet dhe u dyshua se kabina ishte ende pezull në ajër. Më pas, në orën 18:05, presidenti i kompanisë EAV, Umberto De Gregorio, konfirmoi përmes rrjeteve sociale lajmin për viktimat.
Ngjarja solli mbylljen e stacionit në Castellammare di Stabia dhe ndërprerjen e linjës hekurudhore midis Pioppaino dhe Sorrento, pasi kablloja kishte rënë mbi shina. Gjithashtu, Policia Bashkiake mbylli rrugën panoramike që të çon në Pallatin Bourbon të Quisisana-s. Teleferiku, i cili ishte rihapur vetëm një javë më parë pas pushimit dimëror, është në funksion që nga viti 1952 dhe kishte pasur vetëm një aksident fatal më parë, në vitin 1960, kur humbën jetën katër persona.