Papastërtia vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët, pasi në shumë zona të kryeqytetit mbeturinat nuk pastrohen për ditë të tëra, duke u grumbulluar dhe krijuar një mjedis të rrezikshëm për përhapjen e infeksioneve.
Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të tillë në rrugën “Zonja Curre”, pranë ish-Tregut Elektrik. Sipas tij, mbeturinat nuk janë pastruar prej më shumë se një muaji, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve.
Përveç grumbullimit të plehrave, ai ngre shqetësim edhe për gjendjen e keqe të infrastrukturës rrugore. Trotuaret janë jashtë funksionit, në disa pjesë të bllokuara nga mbeturinat, e në të tjera të amortizuara për shkak të ndërhyrjeve të papërfunduara në rrugë.
“Prshndetje kemi nje problem ter ruga zonja cure te ish tregu elektrik esht nje situat e perseritur me plehrat. Nuk kalojm dot as me makin dhe as me karrocen e fëmijëve. Ju lutem publikojeni ka shum dite dhe esht situat qe ka 1 muaj kshu. Po shtrohet dhe rruga e kan len cop cop trotuaret nuk funksionojnë,” shkruan denoncuesi.
Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve përkatëse të ndërhyjnë sa më parë, jo vetëm për pastrimin e mbeturinave, por edhe për rehabilitimin e trotuareve, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve.