Të pakëta janë produktet ushqimore të cilat vitet e fundit kanë shkaktuar një bujë të tillë globale si çokollata e famshme e Dubait. Kjo ëmbëlsirë e shijshme, që u bë virale në rrjetet sociale vitin e kaluar, përmban një përzierje të fistikëve dhe kadaifit me çokollatë.
Çokollata u krijua nga Sarah Hamouda, një pastiçere britaniko-egjiptiane që jeton në Dubai, si një mënyrë për të përmbushur fiksimet e saj gjatë shtatzënisë.
Adhuruesit e çokollatës në mbarë botën janë në kërkim të një cope nga kjo ëmbëlsirë, e cila është në sasi të kufizuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, supermarkete si Lidl dhe Waitrose po shesin versionet më të lira të këtij produkti.
Megjithatë, duket se ky ekskluzivitet ka sjellë lindjen e një tregu të zi për çokollatën, pasi prodhues të ndryshëm kanë filluar të krijojnë kopje të lira dhe të rrezikshme. Sipas një hetimi në Gjermani, çokollatat “Dubai” të importuara nga Lindja e Mesme përmbajnë shtues dhe ngjyrues të rrezikshëm.
Në përbërje janë gjetur vaj palme, ngjyrues jeshilë ushqimorë, toksina të prodhuara nga myku dhe madje edhe përbërës kimikë që mendohet të jenë kancerogjenë.
Hetimi është kryer nga Zyra për Hetime Kimike dhe Veterinare (CVUA) në Stuttgart, një institucion në Baden-Württemberg që fokusohet në sigurinë ushqimore. Pas bujës që shkaktoi produkti “Can’t Get Knafeh Of It”, ekspertët analizuan tetë mostra të çokollatave të importuara pesë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tre nga Turqia.
Përveç fistikëve dhe kataifit të bluar, çokollata origjinale përmban edhe tahini një pastë e butë e bërë nga fara susami të bluara. Por hetimi zbuloi gjurmë të vajit të palmës, një vaj i lirë dhe i përhapur, i pasur me yndyra të ngopura, që lidhet me probleme shëndetësore si sëmundjet e zemrës.
Edhe më shqetësuese është prania e përbërjes së rrezikshme 3-MCPD, që krijohet gjatë përpunimit të vajrave bimore si vaji i palmës dhe që konsiderohet potencialisht kancerogjen për njerëzit.
Gjithsej, gjashtë nga tetë çokollatat përmbanin 3-MCPD, pesë prej të cilave tejkalonin nivelet maksimale të lejuara dhe për rrjedhojë u klasifikuan si “të papërshtatshme për konsum”.
Gjithashtu, u zbuluan edhe estere të acidit yndyror glicidil, që shpërbëhen në 3-MCPD dhe glicidol, një tjetër përbërje që vlerësohet si “kancerogjene”.
Ndërkohë, u zbuluan edhe toksina të mykut, kryesisht aflatoksina të cilat njihen si një ndër kancerogjenët më të fuqishëm për njeriun. Aflatoksinat prodhohen natyrshëm nga kërpudhat si Aspergillus flavus, zakonisht gjatë korrjes dhe ruajtjes së produkteve bujqësore si arrorët. Më shqetësuese është se ato nuk mund të zbulohen me aromë apo shije, duke rrezikuar konsumatorët pa dijeninë e tyre.
Pothuajse të gjitha produktet e analizuara përmbanin ngjyrues ushqimorë E140 ose E141 për t’i dhënë mbushjes një ngjyrë jeshile më intensive dhe për të “simuluar një përmbajtje më të lartë fistikësh”,-tha autoriteti në një deklaratë.
Sa i përket shtresës së jashtme të çokollatës, pesë nga mostrat përdornin zëvendësues të dobët në vend të gjalpit të kakaos, përfshirë vajin e lulediellit dhe vajin e palmës. Sipas një direktive të BE-së për produktet me kakao, një produkt duhet të përmbajë gjalpë kakao për t’u konsideruar si çokollatë, ndaj ekspertët ngrejnë dyshime nëse emërtimi “çokollatë Dubai” është i saktë.
Edhe më skandaloze, gjalpi i kakaos ishte i listuar në përbërje në dy nga pesë produktet që nuk përmbanin fare çokollatë ndonëse nuk gjendej aspak në produktin real.
Në raportin e saj, CVUA nuk zbuloi emrat e markave apo prodhuesve të çokollatave të testuara, as vendet ku ato shiten.
Sipas ekspertëve, të gjitha mostrat kishin pamje të ngjashme: Çokollata të mbushura me ngjyrë kafe, të zbukuruara me vija dhe pika me ngjyra të verdha, jeshile të errët dhe herë pas here të kuqe të errët, ndërsa mbushja ishte me masë jeshile të çelur me përbërës të hollë si fije.