Xhulio Shtëmbari është elektriçisti 32-vjeçar i cili humbi jetën pasditen e së hënës, më 14 prill 2025, në zonën e Mërtish-Gradishtit.
32-vjeçari po kryente punime në një linjë elektrike kur, për shkak të një gabimi nga kolegët e tij, u fik linja e gabuar, duke lënë nën tension linjën me 10.000 watt ku ai ndodhej. Kontakti me tensionin e lartë rezultoi fatal, duke i marrë jetën në vend.
Xhulio Shtëmbari ishte i njohur si një djalë i përkushtuar, familjar dhe punëtor. Vdekja e tij ka shkaktuar një tronditje të thellë në komunitetin lokal, ndërsa miq, kolegë dhe të afërm e kujtojnë si një njeri pozitiv dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.
Për të ndihmuar sado pak familjen e tij dhe bashkëshorten e cila ka mbetur vetëm me djalin, miqtë kanë hapur një llogari në GoFundMe ku kushdo që ka mundësi dhe dëshirë mund të kontribuojë.
Ngjarja po hetohet nga autoritetet për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete dhe rrethanat e plota të aksidentit.