Afera e inceneratorit të Tiranës, një nga çështjet më të mëdha të korrupsionit të dyshuar në vend, përfundoi me dënime të lehta dhe një sërë lirimesh në Gjykatën e Posaçme. Nga 12 të pandehurit, 7 u shpallën fajtorë për shpërdorim detyre, por dënimet ishin aq të ulëta sa u konsideruan të përmbushura nga koha e qëndrimit në paraburgim.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 3 vite burg, të reduktuara në 2 për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata urdhëroi lirimin e tij për këtë çështje, por ai mbetet në burg për dy dënime të tjera lidhur me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.
Të pandehurit e tjerë – Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhi dhe Valbona Ballgjini – morën të njëjtin dënim si Koka. Sidita Kopliku u dënua me 80 orë punë në interes publik, ndërsa Jetmir Llapaj u shpall i pafajshëm.
Edhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako, i gjykuar veçmas për këtë aferë, u dënua me 2 vite e 8 muaj burg.
Inceneratori i Tiranës nuk u ndërtua kurrë, por miliona euro nga fondet publike u transferuan përmes kontratës koncesionare me kompaninë “Integrated Energy BV SPV”, e cila u sekuestrua në vitin 2023 nga SPAK.
Sipas hetimeve, kompania përfitoi në mënyrë të paligjshme tenderin, duke qenë në dijeni të rrethanave konkurruese dhe me ndihmën e zyrtarëve publikë për përgatitjen e ofertës. Pavarësisht kësaj, Prokuroria kërkoi dënime të lehta, të cilat gjykata i zbuti edhe më shumë, duke e mbyllur kështu me zhurmë të ulët një nga aferat më të mëdha financiare të viteve të fundit.