Rrëmbimi i Jani Prengës, kopshtari tregon si u zhvendos trupi i pajetë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 16.04.2025, 18:27

Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit “Golden” në Shijak, dëshmoi në GJKKO mbi ngjarjen tragjike të zhdukjes së Jani Prengës në janar 2021. Ai tregoi se kishte parë një automjet tip “Range Rover” të hynte në garazhin nëntokësor të kompleksit, nga ku zbritën katër persona të armatosur, të cilët i kërkuan ndihmë për të zhvendosur një trup të pajetë nga ky mjet në një tjetër makinë, një “Fiat Doblo” në pronësi të kompleksit. Bexhdili tregoi se ishte i frikësuar dhe u bind urdhrave të tyre, duke u dhënë edhe një kazëm dhe një lopatë që i kishin kërkuar. Ai tha se nuk e njihte viktimën dhe personat, por nga dialekti dyshonte se ishin nga veriu i vendit.

Në dëshminë e tij, Bexhdili përmendi praninë e Altin Hajrit, një nga të pandehurit kryesorë, i cili kishte ndërhyrë duke i kërkuar llogari katër personave të pranishëm në garazh. Megjithatë, dëshmia e tij kishte kontradikta, pasi në një moment ai deklaroi se trupi ishte zhvendosur nga “Range Rover” në “Fiat Doblo”, ndërsa më pas tha se ishte përfshirë edhe një automjet i tretë, një “Mercedes”. Po ashtu, ndonëse pamjet filmike e tregonin duke u larguar me të njëjtin mjet si autorët, ai pretendoi në sallën e gjyqit se ishte larguar me një makinë tjetër, duke e cilësuar këtë si një gabim në deklaratat e mëparshme.

Seanca u zhvillua në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Dritan Rexhepajt dhe të tjerëve të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës. Rexhepaj, i ekstraduar së fundmi në Shqipëri, ishte i vetmi i pranishëm në sallë së bashku me Festim Bexhdilin, i cili edhe pse është dënuar me burgim të përjetshëm për këtë ngjarje, po rigjykohet në Apelin e Posaçëm pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit