Edhe pse projekti i tunelit të Llogarasë u hap me bujë përpara verës së vitit 2024, ai është kthyer tashmë në një vatër skandalesh dhe abuzimesh me fondet publike. Me një kosto fillestare prej 155 milionë eurosh, shifra është rritur në mënyrë të konsiderueshme, duke kaluar mbi 200 miliardë lekë. Së fundmi, është anuluar një tjetër tender prej mbi 5 miliardë lekësh për ndërtimin e rrugës lidhëse nga tuneli deri në Palasë.
Më 28 prill 2025 ishte planifikuar të zhvillohej tenderi për ndërtimin e rrugës lidhëse nga Tuneli i Llogarasë deri në Palasë (2.7 km). Por Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi në mënyrë të papritur anulimin e procedurës, duke deklaruar “gabime ose mangësi të rëndësishme në dokumentet e tenderit”. Vlera e tenderit ishte 506 milionë lekë pa TVSH (rreth 5.1 milionë euro).
Burime jozyrtare dyshojnë se anulimi është pjesë e një skeme për të kontrolluar ofertuesit dhe për të manipuluar më tej garën. Ky është një model që është vërejtur edhe më parë në projekte të tjera publike, i lidhur me figura të njohura në infrastrukturën shqiptare.
Tuneli, edhe pse u inaugurua para verës së 2024-ës, u mbyll pas disa muajsh për “punime të papërfunduara”. Paralelisht, ARRSH ka shpallur një tender me vlerë 3.1 milionë euro për vendosjen e sistemit të tarifimit, ku çdo automjet pritet të paguajë 5 euro për kalimin.
Gara për ndërtimin e tunelit filloi më 2020. Fitues u shpall konsorciumi turk “INTEKAR ASL” me një ofertë prej 200 milionë euro me TVSH. Por konkurrentët me ofertë më të ulët – rreth 188 milionë euro – u skualifikuan me justifikimin se nuk kishin eksperiencë për ndërtimin e një ure prej 120 metrash.
Kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”, që doli si nënkontraktore e projektit, ishte gjithashtu pjesë e një tenderi të mëparshëm të anuluar, ku kishte ofertën më të mirë.
Mbikëqyrja e punimeve iu dha bashkimit të kompanive “Hill International” dhe “Net-Grup”, kjo e fundit e lidhur me Valter Begajn – ish-ortak i ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi. Të dy u arrestuan në mars 2024 për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, tenderat e fituar nga “Net-Grup” shkojnë në miliona euro dhe janë firmosur nga Berberi. Paratë më pas transferoheshin te kompania tjetër “DAAM”, e kontrolluar në mënyrë të fshehtë po nga Berberi.
Në dhjetor 2022, Belinda Balluku në cilësinë e zv/kryeministres firmosi dy akte normative që i shtonin 5 miliardë lekë (50 milionë euro) buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës, pa analiza të detajuara financiare. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) e ka konsideruar këtë veprim të paligjshëm.
Fondet u përdorën për projekte si Tuneli i Llogarasë dhe Rruga e Arbrit – të dyja të dhëna “Gjoka Konstruksion”.
Aktualisht në krye të ARRSH-së është Gentian Gjyli, i besuar i Ballukut. Më 11 prill 2025 ai u paraqit në SPAK për t’u pyetur në lidhje me abuzimet me tenderat, përfshirë edhe anulimin e fundit të rrugës lidhëse të tunelit. Ai është thirrur disa herë më parë nga SPAK, që pas arrestimit të paraardhësit të tij, Evis Berberi.