Një situatë shqetësuese është raportuar në aksin rrugor Kardhiq–Sarandë, pranë tunelit të ri të Skërficës.
Sipas dëshmive të qytetarëve, tuneli është aktualisht pa ndriçim të brendshëm, duke krijuar një errësirë totale që rrezikon seriozisht jetën e drejtuesve të automjeteve dhe pasagjerëve.
Mungesa e ndriçimit në këtë tunel të ri, i cili është pjesë e një ndër projekteve infrastrukturore të rëndësishme për jugun e vendit, është e papranueshme, sidomos duke pasur parasysh rrezikshmërinë që sjell për qarkullimin në një zonë malore dhe me kthesa të mprehta.
Drejtuesit e automjeteve bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për të vendosur ndriçimin e nevojshëm dhe për të garantuar sigurinë rrugore.