Plas grushti mes fisit të Kapllanajt dhe agjentëve të BKH

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 16.04.2025, 00:10

Një incident i tensionuar është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit pas një përplasjeje fizike mes agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe vëllait e nipave të Agron Kapllanajnt, ish-kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës dhe themeluesin e partisë ‘Djathtas 1912’ me Enkelejd Alibeajn.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në lagjen “1 Maji”, një zonë e frekuentuar dhe me aktivitet të dendur lokal. Fillimisht, gjithçka është raportuar si një konflikt i zakonshëm për një vend parkimi, por më vonë është zbuluar se situata ka qenë më e ndërlikuar.

Përplasja mes palëve ka nisur kur një automjet i dyshimtë ka ndaluar në parkimin pranë zyrave të subjektit politik të Kapllanajt dhe ngriti një dron, veprim ky që ngjalli dyshime tek personat brenda godinës.

Sipas vetë Kapllanajt, roja i objektit kërkoi shpjegime, por u përball me fyerje nga një prej individëve.

“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.

Pas incidentit të parë, agjentët u larguan nga vendngjarja, por u ndoqën nga disa të afërmit e Kapllanajt. Në përpjekje për t’i ndalur, ka ndodhur një përplasje e dytë, ku sipas Kapllanajt, agjentët nxorën armët në formë kërcënimi, duke u identifikuar si pjesëtarë të BKH-së.

Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë ulur gjakrat, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe një zyrtari të subjektit të tij politik.

Vetë Kapllanaj ndodhet në ambientet e Policisë së Fierit për të bërë kallëzim penal në lidhje me rastin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit