Autoritetet britanike kanë arrestuar tre shtetas shqiptarë, të dyshuar si trafikantë të emigrantëve, pasi një jaht luksoz u kap në Kanalin Anglez me 20 persona të fshehur në bord.
Mjeti lundrues dyshohet se ishte nisur nga Bresti në Francë dhe po udhëtonte drejt bregut jugor të Anglisë, me destinacion Newquay. Oficerët e Forcave Kufitare e ndaluan të dielën dhe pas kontrollit zbuluan 19 burra dhe një grua, të gjithë shqiptarë, të fshehur poshtë kuvertës, raportojnë mediat britanike.
Ata janë ndaluar dhe do të deportohen, njoftoi Ministria e Brendshme britanike.
Një 44-vjeçar shqiptar me emrin Bledar Bega është vënë në pranga dhe akuzohet për “lehtësim të hyrjes së paligjshme” në Britani. Ai është dërguar në paraburgim dhe do të dalë përpara gjykatës në Bodmin.
Dy shtetas të tjerë shqiptarë u arrestuan për të njëjtën vepër penale. Njëri prej tyre është liruar nga hetimi penal, por ndodhet i ndaluar pasi gjendet ilegalisht në Britani.
Sipas të dhënave zyrtare, të shtunën, 656 persona mbërritën në Britani me 11 varka, shifra më e lartë ditore për këtë vit. Deri tani, mbi 8000 emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez në 4 muajt e parë të vitit 2025, një rritje me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme deklaroi:
“Bandat e trafikimit të njerëzve nuk u intereson nëse njerëzit që shfrytëzojnë jetojnë apo vdesin, mjafton që të paguajnë. Do të bëjmë gjithçka për të shkatërruar rrjetet e tyre dhe për t’i sjellë përpara drejtësisë.”
Autoritetet shtojnë se kushdo që përpiqet të fusë njerëz në Britani në mënyrë të paligjshme, përballet me arrestim, ndjekje penale dhe burg.