Një nga ngjarjet më të pazakonta në botë po afrohet: gara e parë zyrtare me spermatozoidë do të zhvillohet në Los Angeles më 25 prill, në një arenë të mbushur me tifozë, komentim “live” dhe transmetim direkt – njësoj si çdo sport tjetër.
Katër sipërmarrës të rinj, Eric Zhu, Nick Small, Shane Fan dhe Garret Niconienko, kanë mbledhur 1 milion dollarë për të realizuar këtë ide, e cila në pamje të parë duket komike, por mbart një mesazh të rëndësishëm: ndërgjegjësimin për rënien e fertilitetit mashkullor në të gjithë botën.
Në manifestin e tyre, themeluesit thonë se ky problem është duke u rritur në heshtje, pa marrë vëmendjen e duhur nga publiku. Prandaj, ata vendosën ta kthejnë në sport, për ta bërë më tërheqës, më të matshëm dhe më të kuptueshëm për publikun e gjerë.
Gara do të matë “motilitetin” e spermës, sa shpejt lëvizin spermatozoidët, një faktor kyç për fertilitetin. Dhe, ashtu si çdo sportist që stërvitet për të përmirësuar veten, edhe cilësitë e spermës mund të përmirësohen me kalimin e kohës, thonë organizatorët.
Gara do të zhvillohet në një “pistë” mikroskopike të ndërtuar posaçërisht, që simuluar kushtet e sistemit riprodhues. Dy mostra do të garojnë njëkohësisht dhe fitues do të jetë spermatozoidi që kalon i pari vijën e finishit.
Për ta kthyer këtë në një spektakël, do të ketë kamera me rezolucion të lartë që do të transmetojnë çdo lëvizje mikroskopike, tabela me rezultate, repriza të menjëhershme dhe komentues “live”. 5 mijë spektatorë priten të jenë në arenë, ndërsa ngjarja do të transmetohet edhe online.
Organizatorët thonë: “Po e kthejmë fertilitetin mashkullor në diçka për të cilën njerëzit duan të flasin, të matin dhe të përmirësojnë. Shëndeti është një garë. Dhe të gjithë meritojnë një shans në vijën e nisjes.”
Reagimet në rrjete sociale kanë qenë entuziaste. “Kjo do bëhet më e madhe se Formula 1”, shkroi një përdorues. Një tjetër shtoi me humor: “Uroj që notuesit më të mirë të fitojnë!”