Hendeku mes pagave dhe pensioneve në Shqipëri është thelluar ndjeshëm, duke bërë që inflacioni të rëndojë më shumë mbi pensionistët. Ndërsa paga mesatare mujore bruto u rrit me rreth 10% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, pensioni mesatar u rrit vetëm me 4%. Si pasojë, në tetor 2024 pensioni mesatar përbënte vetëm 24.6% të pagës mesatare, nga 32% që ishte dhjetë vite më parë.
Përkeqësimi i këtij raporti ka ndikuar në thellimin e pabarazisë mes pensionistëve dhe të punësuarve. Rritja e pagave në sektorin publik dhe privat është shoqëruar me rritje të çmimeve në produkte bazë, duke e bërë jetesën më të vështirë për të moshuarit. INSTAT thekson se një pensionist konsiderohet i varfër nëse pensioni i tij është më pak se gjysma e pagës mesatare, një situatë që po prek një numër gjithnjë e më të madh të moshuarish për shkak të ritmeve më të ulëta të rritjes së pensioneve krahasuar me pagat.
Një tjetër faktor që përkeqëson situatën është rritja e numrit të pensionistëve me pagesë të pjesshme. Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në gjysmën e parë të vitit 2023, 50% e përfituesve të pensionit të pleqërisë ishin me pagesë të pjesshme, nga 45% që ishte në vitin 2021.