Edhe pse është një nga zonat më luksoze të kryeqytetit, ku çmimi për metër katror të banesave i kalon 2,000 eurot, Kodra e Diellit po përballet me një sërë problematikash serioze që po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve.
Përveç rrugëve të ngushta dhe mungesës së parkimeve, prej javësh rezidentët janë përballur edhe me një tjetër problem shqetësues: grumbullimin e mbeturinave dhe inerteve në trotuare.
Sipas tyre, kompania koncesionare që ka kryer punime në rrugët e zonës ka përfunduar projektin, por ka lënë pas materiale ndërtimi të shpërndara në hapësirat publike.
Inertet kanë bllokuar trotuaret, duke e bërë të pamundur kalimin për këmbësorët, sidomos për të moshuarit dhe nënat me fëmijë. Banorët i kanë bërë thirrje kompanisë së ndërtimit, ashtu edhe shërbimeve të pastrimit, për të pastruar sa më shpejt rrugët.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të rikthyer normalitetin në këtë zonë, e cila për ironi të fatit, është ndër më të shtrenjtat për të jetuar në kryeqytet.