Ndërkohë që zgjedhjet po afrohen, një zhvillim i fundit në qytetin e Dibrës ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje mbi etikën e përdorimit të pushtetit dhe resurseve publike në funksion të fushatës elektorale.
Murat Dani, kandidat për deputet nga Partia Socialiste në Dibër, është djali i biznesmenit Jeton Dani, zotërues i kompanisë “Gerti” Sh.p.k..
Kjo kompani, në bashkëpunim me firmat “MELA” Sh.p.k. dhe “BE – IS” Sh.p.k., ka fituar një tender publik për ndërtimin e rrjetit shpërndarës të ujit dhe ndërtimin e një depoje uji në fshatrat Cerenec i Sipërm dhe Cerenec i Poshtëm.
Tenderi ka ngritur dyshime të forta, pasi ka marrë flamur të kuq për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve të tjerë konkurrues, duke lënë si fitues të vetëm bashkimin ku përfshihet kompania e babait të kandidatit.
Për më shumë se dy vite, banorët e këtyre fshatrave janë ankuar për mungesë të ujit të pijshëm dhe vaditës, mungesë energjie elektrike, dhe rrugë të shkatërruara. Shumë prej tyre janë detyruar të largohen nga vendlindja, disa edhe përtej kufirit, në Dibër të Madhe.
“Pa ujë, pa drita, pa rrugë. Këtu nuk jetohet më,” janë shprehur më herët banorët për mediat lokale.
Ironikisht, ndërhyrja për furnizimin me ujë vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve, me një kontratë që parashikon përfundimin e projektit brenda gjashtë muajve. Pyetja që ngrihet është:
A është ky një investim për komunitetin, apo një premtim elektoral me garanci familjare?
Nëse Murat Dani nuk arrin të sigurojë mandatin e deputetit, a do të rrezikojë projekti të mos realizohet? A do të mbeten sërish banorët pa ujë, si një formë ndëshkimi për “zgjedhjen e gabuar”?
Kjo situatë nxit nevojën për transparencë të plotë mbi procedurat e tenderimit, përfshirjen e familjarëve të kandidatëve në kontrata publike, si dhe për monitorimin e realizimit të projekteve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.