Një grua 80-vjeçare në Turqi rrezikon të kalojë mbi 4 vjet pas hekurave pasi goditi në krah mbesën e saj 18-vjeçare me pantofla gjatë një debati.
Asiye Kaytan jeton me mbesën e saj, Vural, në lagjen Topraklık të Denizli, në Turqinë Jugperëndimore.
Vitin e kaluar, më 9 gusht, pasi Vurali u kthye nga puna, ajo i tha gjyshes se do të dilte me disa shoqe.
Nga frika për sigurinë e saj, gruaja e moshuar tha se nuk do ta lejonte dhe madje mbylli derën për t’u siguruar që Vurali të mos dilte jashtë.
Në një moment gjatë debatit të tyre, e reja tentoi të zhbllokonte derën dhe Kaytan kapi njërën prej pantoflave të shtëpisë dhe e goditi me të në krah.
Vural instinktivisht u hakmor duke goditur gjyshen e saj në kokë me telefonin e saj.
Kaytan filloi të rrjedh gjak dhe vajza e frikësuar harroi festën dhe thirri një ambulancë
Por, ata nuk e dinin se ajo që filloi si një grindje familjare do të kthehej përfundimisht në një lajm ndërkombëtar.
“Mbesa ime donte të dilte në mbrëmje, nuk e lejova, e mbylla derën”, tha Kaytan.
“Unë e godita atë në krah me pantofla dhe ajo më goditi në kokë me telefonin e saj. Kur më filloi gjakderdhja, ajo u frikësua dhe thirri një ambulancë.”
Kaytan dhe mbesa e saj nuk bënë asnjëherë padi kundër njëra-tjetrës, por lajmi u përcoll në polici nga Spitali Shtetëror i Denizlit.
Të dyja gratë u thirrën për t’u marrë në pyetje, dhe përkundër faktit se kishin zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre, u hap një rast dhe Prokuroria Publike ngriti aktakuzë kundër gjyshes.
Në rastin e tyre, prokuroria pretendoi se pantofla e përdorur nga Kaytan për të goditur mbesën e saj ishte një armë dhe 18-vjeçarja ka vepruar në vetëmbrojtje kur goditi gruan me telefonin e saj.
Gjyshja u akuzua gjithashtu për ‘privimin e lirisë së një personi’ sepse e mbylli Vuralin brenda shtëpisë dhe e pengoi të largohej, një akuzë që dënohet maksimalisht me 14 vjet burg.
Raportohet se gjykata e dënoi Kaytan me 2 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “heqja e lirisë së një personi duke përdorur forcë, kanosje ose mashtrim” dhe 2 vjet e 6 muaj shtesë për përdorimin e “armës për kryerjen e krimit”.
Dënimi përfundimisht u ul në 4 vjet e 2 muaj, por avokati i Kaytan e apeloi vendimin.
Nëse dënimi fillestar do të lihet në fuqi nga Gjykata e Apelit, ajo do të shkojë në burg.
“A do të shkoj në burg në moshën 80-vjeçare? Si do të jetoj atje? Jam operuar dhe eci me vështirësi. Do të më futin në burg për pantofla”, tha gjyshja.
“Gjyshja ime mori një dënim me burg sepse më goditi me pantofla dhe më pengoi të dilja nga shtëpia. Nuk doja që të ishte kështu. Nuk bëra ankesë kundër saj, por u hap një rast”, shpjegoi Vural.