4 muaj pas hapjes, rrugë lidhëse të Unazës së Madhe mbeten në mjerim

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 14.04.2025, 11:11

Në fund të dhjetorit 2024, me shumë bujë dhe nxitim, u inaugurua segmenti i Unazës së Madhe të Tiranës – një projekt i shumëpritur nga banorët e kryeqytetit si një zgjidhje për lehtësimin e trafikut të ngarkuar. Megjithatë, pak ditë pas hapjes, qytetarët nisën të denoncojnë probleme të shumta që lidhen me cilësinë e dobët të punimeve.

Ankesat variojnë nga lidhjet jo të sigurta të urave, sidomos në segmentin që lidh ish-Doganën me Paskuqanin, deri te mbyllja e papritur e një pjese të Unazës pranë Lumit të Tiranës, më 8 dhe 9 mars, për punime shtesë që nuk ishin përfunduar në kohë.

Edhe pse kanë kaluar gati katër muaj nga përurimi, problematikat vazhdojnë të jenë të pranishme dhe qytetarët nuk ndalojnë së ngrituri zërin. Një banor i zonës së Shkozës tregon për gjendjen e rëndë të infrastrukturës së rrugës poshtë njërës prej urave të Unazës, ku mungesa e ndërhyrjes nga autoritetet po u shkatërron automjetet banorëve.

“Pershendetje Joq, pa shkuar ne Shkoze tek Ura e Unazes se madhe, gjendja e rrugeve ne mjerim total. 2-3 here na eshte prishur makina. Mbetem ne servise,” shkruan ai i shqetësuar.

Pamjet nga terreni tregojnë një rrugë të paasfaltuar, me gropa, ndërkohë që mjetet e ndërtimit janë të fikura dhe nuk shihet asnjë punëtor në vendin e ngjarjes. Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë sa më parë për të rregulluar situatën, pasi edhe pas disa muajsh nga hapja zyrtare e Unazës, problemet infrastrukturore mbeten ende të pazgjidhura.

Mbetet për t’u parë nëse në këtë muaj fushate, autoritetet do të gjejnë kohë për të zgjidhur këtë problem.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit