Pranverë e nxehtë jo vetëm në tapetin basketbollistik të seniorëve kosovarë, por edhe në atë të juniorëve.
Skuadra U12 e KB Kerasan ka rrëmbyer trofeun e Kupës së Kosovës për grupmoshën 2013/14, duke treguar lojë të shkëlqyer dhe përkushtim në të dyja ndeshjet finale të turneut.
Në gjysmëfinale, të rinjtë e KB Kerasan e kanë mposhtur KB Peja DT me rezultat 57:41, duke siguruar kështu kalimin në finalen e madhe. Aty, përballë KB Trepçës, djemtë e Kerasanit kanë vazhduar me të njëjtin ritëm dhe kanë arritur një tjetër fitore me rezultat 58:42.
Trajneri Dritëro Sefaja deklaron per rtk se kjo gjeneratë ka punuar së bashku tash e dy-tre vjet dhe fitorja e Kupës së Kosovës është një shpërblim për përkushtimin e tyre
“Gjenerata e U12 e klubit të basketbollit 'Kerasan', pra fëmijët e lindur në vitin 2013 dhe 2014, është një gjeneratë shumë e mirë, të cilët kanë punuar që dy-tre vjet bashkë dhe sot u është shpërblyer mundi duke fituar Kupën e Kosovës. Titujt në këtë moshë nuk kanë rëndësi; më me rëndësi është zhvillimi i lojtarëve, prandaj këta po vazhdojnë të luajnë, të ushtrojnë shumë dhe me një modesti të madhe të punojnë drejt së ardhmes”, është shprehur Sefaja. “Unë kam shpresa të mëdha te këta djem, nëse vazhdojmë të punojmë shumë, mund të arrijnë të bëhen basketbollistë të mirë”.