7.2 Milionë Euro për një ilaç që mungon, skandali i QSUT dhe Rejsi Farma

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.04.2025, 14:32

Një nga kontratat më të mëdha të këtij viti në sistemin shëndetësor publik është shndërruar në një tjetër rast flagrant të mungesës së transparencës dhe konkurrencës. Tenderi prej 7.2 milionë eurosh, i zhvilluar nga QSUT për furnizimin me ilaçin Daratumumab,një medikament kyç për trajtimin e mielomës multiple, ka hapur një sërë pikëpyetjesh serioze për mënyrën si menaxhohen paratë publike dhe të drejtat e pacientëve.

"Gara" me një garues të vetëm

Kontrata është lidhur përmes një procedure të quajtur “marrëveshje kuadër”, e cila në letër synon të lehtësojë procesin e furnizimit në raste specifike. Por në praktikë, ajo është përdorur për të eliminuar konkurrencën. Fituesi? Kompania Rejsi Farma, në pronësi të Nexhat dhe Merita Sheqit e vetmja që plotësonte kushtet, të cilat dukshëm janë përshtatur për të.

Kushtet e vendosura në tender, përfshirë kërkesën për një xhiro minimale mbi 2.9 milionë euro, janë kaq specifike sa përjashtojnë automatikisht çdo operator tjetër nga gara.

Urgjencë në letër, vonesa në jetë reale

Sipas kontratës, Rejsi Farma duhej të dorëzonte urgjentisht 600 ampula të ilaçit menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Megjithatë, pacientët në pavijonin e Hematologjisë raportojnë mungesën e medikamentit jetik. Pra, ndërsa fondet janë shpenzuar, ilaçet mungojnë, dhe urgjenca e pretenduar nga QSUT nuk përkthehet në furnizim real.

Kontrata që s'le vend për ankesa

Një detaj tjetër shqetësues është fakti që procedura nuk ka njohur afat ankimi për operatorët e tjerë. Kjo e bën procesin jo vetëm të mbyllur, por praktikisht të paprekshëm nga çdo kontroll i jashtëm. Çfarë garancie mbetet për transparencën, kur e vetmja garë që zhvillohet është ajo mes institucioneve dhe mungesës së përgjegjësisë?

20 Milionë Euro tenderë për Rejsi Farma

Kjo nuk është hera e parë që Rejsi Farma përfiton kontrata të mëdha nga shteti. Vetëm në vitet e fundit, kompania ka marrë afro 20 milionë euro nga tenderë publikë në sektorin e shëndetësisë, shumë prej të cilëve janë shoqëruar me akuza për mungesë gare dhe transparencë.

Në këtë rast të fundit, duket qartë që "kostumi" i tenderit është qepur për një trup të vetëm duke ndalur çdo mundësi për ofertues të tjerë.

Shëndeti si biznes

Daratumumabi është një ilaç i sofistikuar që përdoret për të shpëtuar jetë. Çmimi i tij në tregun e lirë shkon deri në 2,000 euro për flakon, shifër e papërballueshme për shumicën e pacientëve shqiptarë. Në mungesë të furnizimit nga shteti, pacientët mbeten pa trajtim ose shkojnë drejt borxhit të pashlyeshëm për të jetuar edhe pak më gjatë.

Kjo situatë nuk është thjesht një çështje burokratike apo teknike. Ajo është një krizë humanitare që vë përballë njëri-tjetrin pacientët dhe një sistem që duket se ka humbur sensin e misionit të vet.

Ndërkohë që QSUT justifikohet me “urgjencën” dhe “specifikën e lëndës”, qytetarët kanë vetëm një pyetje: Ku është ilaçi? Kur një kontratë miliona-eurosh nuk çon ilaçin në pavijon, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një problem logjistik, por me shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave njerëzore.

Në një vend ku tenderët janë bërë sinonim i abuzimit dhe jo i shërbimit, rasti i fundit me Daratumumabin në QSUT është një provë e dhimbshme se si funksionon – ose më saktë nuk funksionon – sistemi ynë shëndetësor publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit