Detaje të reja nga vrasja e studentes shqiptare: Gjurmë gjaku në çdo dhomë, zgjerohen hetimet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.04.2025, 12:03

Të dhëna të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen brutale të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, në Itali.

Sipas mediave italiane, ngjarja makabre ka ndodhur në banesën e të dyshuarit, Mark Antony Samson, në Via Homs 8, në lagjen afrikane të Romës, ku janë zbuluar sasi të konsiderueshme gjaku pothuajse në çdo dhomë të apartamentit.

Ekspertët e mjekësisë ligjore mendojnë se krimi ka ndodhur në mbrëmjen e 25 marsit, ndryshe nga çfarë ka pretenduar i dyshuari në dëshminë e tij, i cili deklaroi se vrasja ndodhi mëngjesin e 26 marsit.

Sipas raportit, Ilaria është goditur me thikë në qafë, duke shkaktuar humbje të madhe gjaku, gjurmë të së cilës janë gjetur në muret e korridorit, në dysheme dhe në objekte të ndryshme brenda banesës.

Me ndihmën e substancës luminol, hetuesit kanë zbuluar gjurmë gjaku të fshira në pllakën e dushit, lavamanët e banjës dhe kuzhinës, si dhe në mjetet e pastrimit – përfshirë furça dhe doreza.

Gjurmë janë gjetur edhe në një kuti kartoni të fshehur mbi një dollap.

Një njollë e madhe gjaku është zbuluar edhe në brendësi të derës së përparme të majtë të automjetit të Samsonit, ku janë gjetur gjithashtu tufë flokësh të gjatë që dyshohet se i përkasin viktimës.

Pavarësisht përpjekjeve për të pastruar vendin e krimit më 26 mars, gjurmët e gjakut nuk janë eliminuar plotësisht. Një faturë e sekuestruar nga një dyqan detergjentesh pranë banesës tregon për blerje produktesh pastrimi po atë ditë, duke forcuar dyshimet për një tentativë për të fshehur provat.

Trupi i pajetë i Ilarias u gjet më 2 prill në një shpat mali në Guadagnolo, Capranica Prenestina – disa ditë pas zhdukjes së saj.

Sipas hetimeve, ajo ka qëndruar për rreth 20 orë në banesën e Samsonit para se të transportohej dhe të fshihej në zonën malore.

Autoritetet italiane po hetojnë mundësinë që persona të tjerë të kenë ndihmuar në pastrimin dhe zhdukjen e provave.

Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë me intensitet të lartë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që ka tronditur opinionin publik në Itali dhe në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit