Nëse dikush kishte ende iluzione për ironinë e qeverisjes lokale në Shqipëri, mjafton të hedhë një sy nga fshati Sheqeras në Maliq. Më 25 mars 2025, publikuam denoncimin e banorëve për rrugët katastrofike të fshatit, të mbushura me baltë, gropa dhe premtime të pashlyera që prej 24 vitesh. Epo, "çudia" ndodhi!
Sot jemi 12 prill dhe Bashkia Maliq, si për të treguar që dëgjon me veshë të mbyllur, ka vendosur të “shtrijë dorën e saj të ngrohtë” drejt banorëve. Jo me asfalt, jo me zhavorr të denjë, por me... cakëll të hollë të përzier me dhe. Po, saktësisht siç e lexuat: një përzierje brilante që mezi pret shiun e parë për t'u kthyer në një pelte të përmasave olimpike.
Një banor na shkruan me një përzierje revolte dhe ironie:
"Prsh JOQ, pas denoncimit na e shtruan rrugën në Sheqeras. Bashkia Maliq... qesharake. Cakëll të hollë i përzier me dhe. Këta janë mostra."
Në fotot e siguruara (që flasin më shumë se 1 mijë fjalë), dallohet qartë kjo “arritje inxhinierike”, e denjë për ndonjë epokë parahistorike. Të vetmit që mund të përfitojnë realisht nga kjo situatë janë gomat e makinave, që tashmë do kenë një sfidë të re për t’u konsumuar më shpejt se kurrë.
Kujtojmë se më 25 mars, banorët denoncuan kryetarin Gëzim Topçiu, i cili qëndron në pushtet prej 24 vitesh, për gjendjen skandaloze të rrugëve. Ata e akuzuan për premtime boshe dhe shtrime “elektorale” që s’kanë ndryshuar asgjë. Dhe tani? Ja ku kemi “ndryshimin”: cakëll me dhè dhe një grusht në fytyrë për çdo banor që guxon të ketë zë.
Ajo që ndodhi në Sheqeras është më shumë se një turp, është një metaforë perfekte e një administrate që tallet hapur me qytetarët e saj.