Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një situatë shqetësuese që po ndodh prej ditësh në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë, pranë fabrikës së miellit.
Sipas saj, në këtë segment rrugor po zhvillohen punime të cilat kryhen gjatë gjithë natës, duke zgjatur deri në orën 4-5 të mëngjesit, ndërsa gjatë ditës nuk punohet fare. Qytetarja thekson se përveç shqetësimit të madh që kjo situatë po sjell, banorët kanë edhe të moshuar në familje të cilët nuk mund të flenë asnjë orë në qetësi.
Ajo shprehet se banorët kanë kontaktuar disa herë policinë, por kjo e fundit nuk është paraqitur në vendngjarje për të ndërhyrë.
“Kemi një javë që nuk na lejojnë të flemë. Kemi të moshuar në shtëpi dhe nuk po na lënë të flemë. Punojnë deri në 4-5 të mëngjesit dhe gjatë ditës nuk punojnë. Kemi marrë policinë sot dhe dje, por nuk vijnë,” shprehet qytetarja për JOQ Albania.
Në videon e dërguar, shihen mjete të rënda pune duke operuar në mes të natës dhe duke shkaktuar zhurma të forta, gjë që sipas banorëve ka kthyer zonën në një makth të përnatshëm.