Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një vajzë pretendon se ka qenë viktimë e një akti të rëndë dhune të ushtruar nga dy persona në zonën e Laçit.
Sipas dëshmisë së saj, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit para dy ditësh, kur ajo ndodhej në shoqërinë e dy shtetasve, Alfred P. dhe Kristian B., me të cilët kishte marrëdhënie shoqërore. Sipas saj, pas një konflikti që nisi për shkak të mënyrës së rrezikshme të drejtimit të automjetit nga këta persona, situata agravoi dhe përfundoi me ushtrim dhune fizike ndaj saj.
Denoncuesja tregon se, sipas saj, është goditur fillimisht nga shtetasi Kristian B., e më pas nga Alfred P. (personi në video), ndërkohë që një vajzë tjetër ka qenë e pranishme gjatë ngjarjes. Ajo shprehet se i është marrë edhe telefoni për ta penguar të kontaktonte me policinë. Pavarësisht kësaj, pas përpjekjeve, ajo ka mundur të telefonojë shërbimet e rendit.
Ajo pohon se efektivët e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, por sipas saj, nuk kanë marrë asnjë masë ndaj dy personave të përmendur, duke i lënë të lirë pa i shoqëruar në komisariat. Madje, në dëshminë e saj, ajo thotë se është ndjerë e kërcënuar edhe në praninë e policisë, pasi njëri prej autorëve të dyshuar ka hapur derën e furgonit ku ndodhej ajo, duke ushtruar presion të mos bëjë kallëzim penal.
Vajza pretendon gjithashtu se personat në fjalë e kanë kërcënuar duke i deklaruar se “kanë kryer krime të rënda dhe s'pyesin për ligj”, pasi “me para çdo gjë mund të zgjidhet”. Denoncuesja ka shprehur shqetësimin se pavarësisht kallëzimit të bërë në komisariatin e Laçit, autorët e dyshuar janë ende të lirë dhe vazhdojnë të dërgojnë kërcënime për ta detyruar të tërhiqet nga kallëzimi.
“Jetojmë në një shtet ku dhunuesit bëhen njësh me shtetin dhe viktimat detyrohen të fshihen nga frika. Dua drejtësi për veten time dhe për çdo vajzë që mund të përballet me një situatë të tillë. Këta persona bëjnë trimin vetëm me femra”, përfundon ajo në dëshminë e saj për JOQ Albania.
Ajo gjithashtu pohon se në polici është thirrur edhe vajza tjetër që ka qenë e pranishme, por ngjarja, sipas saj, është përpjekur të mbahet e fshehtë.