Prej 5 muajsh në lagjen “Lajmi i Ri” në qytetin e Lezhës, 30 familje nuk furnizohen me energji elektrike mjaftueshëm për shkak të djegies së transformatorit që furnizon këtë zonë.
Denoncimi vjen nga një qytetar i cili shprehet i revoltuar për neglizhencën e vazhdueshme të OSHEE Lezhë.
“Kemi më shumë se pesë muaj që është djegur transformatori. Kemi kërkuar riparimin e tij, por çdo herë marrim vetëm premtime: ‘Sot do ta ndërrojmë, nesër do ta ndërrojmë’, dhe askush nuk vjen. Jemi lodhur. 30 familje vuajnë, por duket se askush nuk dëgjon.” – shprehet qytetari për redaksinë tonë.
Situata është bërë e padurueshme për banorët, të cilët përballen me pamundësi për të përdorur pajisjet elektrike bazike dhe kushte të papërshtatshme për jetesë, sidomos gjatë periudhës së dimrit.
Redaksia jonë i bën thirrje OSHEE-së dhe autoriteteve lokale në Lezhë që të ndërhyjnë menjëherë për zgjidhjen e kësaj situate dhe të garantojnë rikthimin e energjisë elektrike për banorët e lagjes “Lajmi i Ri”.
Denoncimi i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ Albanian!
Desha të bëj një denoncim për OSHEE Lezhë. Kemi më shumë se pesë muaj që është djegur transformatori i dritave në lagjen “Lajmi i ri”. Kemi kërkuar riparimin e tij pasi janë pothuajse 30 familje që varës nga ky transformator, dhe organet përgjegjëse thonë që do ta ndërrojmë sot do ta ndërrojmë nesër por asnjë nuk vjen ta ndërrojë.. besoj se pas një postimi ne JOQ do u bjer ne mend ta ndërrojnë”