Gjendje alarmante në pediatrinë e Lushnjës: Priza të dëmtuara, ashensor jashtë funksionit prej 6 muajsh

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.04.2025, 14:42

Një situatë shqetësuese është denoncuar nga një qytetare që ka pasur fëmijën e shtruar në pediatrinë e spitalit të Lushnjës. Pamjet që na vijnë nga brenda ambienteve të këtij pavijoni tregojnë një realitet të trishtë dhe tejet të rrezikshëm për shëndetin dhe sigurinë e të vegjëlve.

Sipas denoncimit, gjendja e ambienteve është "katastrofike", me priza të dala nga muri, të cilat përbëjnë një rrezik të madh për fëmijët. Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se ashensori nuk funksionon prej gjashtë muajsh, ndërkohë që pavijoni i fëmijëve ndodhet në katin e katërt.

“Jemi në kat të katërt, ashensori ka 6 muaj që nuk punon. Spitali i fëmijëve në Lushnjë është katastrofë. Çfarë votash kërkojnë?”, – shkruan qytetarja në denoncimin e saj, duke kërkuar që kjo situatë të bëhet publike.

Ajo tregon se është detyruar të ngjisë dhe zbresë katër kate me fëmijën në krah, një situatë e papranueshme në një institucion shëndetësor që duhet të garantojë lehtësi dhe siguri për të gjithë, e në veçanti për nënat me fëmijë të sëmurë.

Kujdesi për fëmijët, prioritet në letër?

Ky denoncim hedh dritë mbi një problem të rëndë që kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qendrore të shëndetësisë. Investimet në infrastrukturën e spitaleve, sidomos në repartet ku trajtohen fëmijë, nuk mund të mbeten thjesht premtime në fushata, ndërkohë që realiteti në terren është i frikshëm.

Redaksia jonë i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Spitalit të Lushnjës të reagojnë menjëherë dhe të marrin masa konkrete për të siguruar kushte minimale për trajtimin e fëmijëve në këtë institucion.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit