Një denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë për Shkollën e Mesme Profesionale të Agrobiznesit “Irakli Tërova” në qytetin e Korçës. Sipas një prindi, nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë marrë prej dy vitesh pagesat për rimbursimin e udhëtimit si dhe bursat mujore të ofruara nga shteti shqiptar, të cilat kapin vlerën e 7,500 lekëve në muaj.
Në faqen zyrtare të shkollës është publikuar informacioni se të rinjtë që zgjedhin këtë institucion përfitojnë bursa dhe mbështetje financiare nga qeveria. Megjithatë, përfituesit e mundshëm thonë se kjo është një premtim i pambajtur.
“Djemtë nuk kanë marrë lekët e rrugës prej dy vitesh, dhe për këtë vit nuk kanë marrë as bursat. Fondet janë dhënë, por nuk e dimë ku kanë shkuar,” – thotë qytetarja që ka kontaktuar redaksinë.
Ajo shprehet se i është drejtuar drejtorisë së shkollës disa herë, por nuk ka marrë një përgjigje të qartë. E vetmja përgjigje që ka marrë më parë ka qenë: “Do i merrni”, pa ndonjë afat konkret.
Ky shqetësim vjen në një kohë kur arsimi profesional po përpiqet të promovohet si një alternativë e vlefshme për të rinjtë shqiptarë, ndërkohë që shumë prej tyre zgjedhin emigracionin për shkak të mungesës së mbështetjes dhe mundësive reale në vend.
Denoncimi i qytetares
"Përshëndetje! Si kaloni?
Dua te bëj një ankesë në shkollën “Irakli Terova” Korçë djemtë nuk kanë marr lekët e rrugëtimit kanë dy vjet plus për ketë vit nuk kanë marr as bursat fondet janë dhënë po nuk e dimë ku kanë shkuar. Vetëm do I merrni thotë drejtoresha, po se kur nuk e dimë. Ju shkruaj tani nuk kthejnë përgjigje."