Një ditë më parë, JOQ Albania ishte e para që denoncoi problemin shqetësues të ujit të ndotur të çezmave në zonën e Komunës së Parisit dhe lagjeve përreth në Tiranë. Redaksia jonë mori me dhjetëra raportime nga banorët, të cilët shprehën shqetësimin për mungesën e reagimit nga institucionet përkatëse.
Pavarësisht situatës alarmante, reagimi nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) erdhi disa orë me vonesë, ku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale thuhej:“Për shkak të punimeve në linjën DN-700 mm (Lanabregas–Depo Partitar), po hasim turbullira në furnizimin me ujë në zona si Tirana e Re dhe Komuna e Parisit.” Megjithatë, ky reagim i vonuar nuk qetësoi banorët, të cilët vazhdonin të përballeshin me pasigurinë e përdorimit të ujit të çezmës.
Ndërkohë, lidhur me këtë situatë serioze, Krimi Ekonomik i Tiranës ka nisur hetimet. Pas publikimit të pamjeve nga JOQ, u krye një inspektim në vendin e dyshuar si burim i problemit, dhe janë marrë deklaratat e Dorjan Korbecit, Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes në UKT.
Rasti tashmë pritet t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Gazetari Arsen Rusta ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, dhe kreut të UKT-së, Skerdi Drenova. Ai i akuzon ata për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës, ndotjen e ujit, krim kundër njerzimit dhe veprime të kryera në bashkëpunim.
Ngjarja e fundit është vetëm një tjetër episod në serinë e skandaleve që kanë rrezikuar jetën e qytetarëve – pas rasteve me mandarina me pesticide, fileto pule me salmonelë dhe sallam me plastikë të markës KMY. Ajo nxjerr në pah mungesën e përgjegjësisë institucionale, sidomos në raste kur reagimi duhet të ishte i menjëhershëm për të mbrojtur shëndetin publik.