Fushata elektorale ka zgjuar nga gjumi letargjik pushtetarët që vetëm vjelin e vjedhin taksat e shqiptarëve gjatë gjithë mandatit të tyre.
Me ardhjen e zgjedhjeve, papritur të gjithë kujtohen për të investuar e shtruar asfalte elektorale, në fshatrat e harruara prej tyre.
E për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve dhe siguruar vota për një mandat tjetër, përfaqësuesit e pushtetit po mbushin gropat e rrugëve me dhe e beton, ndërkohë që trashësia e asfaltit s’arrin as 2 centimetër.
Qytetarët e shqetësuar nga kjo skemë manipulimi e mashtrimi elektoral kanë ngritur zërin, duke denoncuar publikisht farsën që po luhet në prag të zgjedhjeve. Ata thonë se këto investime janë vetëm një fasadë, një përpjekje për të blerë vota me para publike, ndërsa për katër vite rresht janë lënë në harresë.
Kjo praktikë e përsëritur është kthyer në një ritual të njohur: propaganda e investimeve që shërben vetëm për fushatë, jo për mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë, projektet serioze infrastrukturore mbesin në letër ose realizohen me standarde skandaloze, pa transparencë dhe pa llogaridhënie.
Zëri i qytetarëve kërkon më shumë se një gropë e mbushur me zhavorr – kërkon një qeverisje që punon për ta, jo që i mashtron vetëm për votë.