Vendet europiane kanë premtuar miliarda dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, për ta ndihmuar në luftën kundër agresionit rus, ndërkohë që një i dërguar i presidentit amerikan Donald Trump zhvilloi një takim të gjatë me Vladimir Putinin në Shën Petersburg, në përpjekje për të arritur një armëpushim.
Lufta, që tashmë ka hyrë në vitin e katërt, po shkon në favor të forcave ruse. Ukraina ka pranuar një propozim për armëpushim nga SHBA, por Rusia e ka bllokuar me kushte të rënda. Presidenti Trump ka bërë thirrje që “Rusia të lëvizë” drejt përfundimit të luftës, duke e quajtur atë “të tmerrshme dhe pa kuptim”.
Sipas Kremlinit, takimi mes Putinit dhe dërguarit të Trump-it, Steve Witkoff, zgjati 4 orë e gjysmë. Tema kryesore: diskutimi mbi mënyrat e mundshme për përfundimin e luftës. Edhe pse nuk janë dhënë shumë detaje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se ky ishte një tjetër hap në rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje.
Ndërkohë në Bruksel, ministrat e mbrojtjes të vendeve perëndimore, të udhëhequr nga Britania, deklaruan se kanë miratuar mbi 21 miliardë euro ndihmë të re ushtarake për Ukrainën. Ministri britanik John Healey e quajti këtë "një rritje rekord të financimeve për luftën".
Ukraina, megjithatë, ka kritikuar shpesh faktin se disa vende japin premtime të përsëritura apo nuk dërgojnë armët realisht.
Gjermania do t’i japë Ukrainës katër sisteme IRIS-T dhe raketa për sistemet Patriot, ndërsa Holanda do të dërgojë një avion vëzhgues Hawkeye. Estonia njoftoi se po shikon tregun global të armatimeve për të blerë më shumë pajisje për Ukrainën.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes theksoi se prioritet mbetet forcimi i mbrojtjes ajrore, pasi Rusia mund të nisë një ofensivë të re ushtarake në javët në vijim për të fituar më shumë peshë në bisedimet për paqe.
Ministri estonez Hanno Pevkur u shpreh se Putin mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje deri më 9 maj, dita kur Rusia feston fitoren në Luftën e Dytë Botërore, ndaj “duhet të përshpejtojmë dërgesat sa më shpejt të jetë e mundur”.