Një qytetare ka bërë një denoncim në redaksinë e JOQ Albania, duke shprehur shqetësimin e saj për një zhvillim të pazakontë te zona e Liqenit të Thatë në Tiranë. Sipas saj, prej dy ditësh po bëhet pastrimi i barit në një pjesë të hapësirës publike, ndërsa sot ajo është rrethuar me tela.
Ajo shpreh dyshime se, ndonëse kjo zonë ishte premtuar për t’u kthyer në një park, mund të jetë planifikuar diçka tjetër. Më shqetësuese është mungesa e çdo informacioni për publikun: nuk është vendosur asnjë tabelë punimesh dhe nuk ka asnjë njoftim zyrtar për atë që po ndodh.
Qytetarja kujton edhe një rast të ngjashëm nga viti i kaluar, kur një tjetër pjesë e hapësirës publike në të njëjtën zonë u rrethua pa paralajmërim. Pas një peticioni të firmosur nga qytetarët, rrethimi u hoq. Tani, sipas saj, situata po përsëritet – këtë herë në gjysmën tjetër të zonës.
Denoncimi i plotë i qytetares:
"Prsh JOQ, kam një denoncim për të bërë. Te Liqeni i Thatë ka dy ditë që po bëhet pastrimi i barit dhe sot është rrethuar me tela. Ndërkohë që kjo hapësirë është premtuar për t’u bërë një ambient parku, sot po e rrethojnë sikur duan të bëjnë diçka tjetër. Nuk kanë vendosur asnjë tabelë punimesh, asnjë paralajmërim. Vjet u rrethua pa leje dhe bënë peticion qytetarët dhe u hoq. Sivjet e kanë rrethuar në gjysmën tjetër."





