JOQ Albania ka zbuluar detaje të reja dhe ekskluzive lidhur me sherrin e dhunshëm të ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Lezhës, ku disa të rinj u përfshinë në një konflikt me sende të forta mes të cilave dhe shkopinj bejsbolli.
Në pamjet që ne kemi siguruar nga momenti i përplasjes, duket se në sherr janë të përfshirë disa persona. Tre djem që godasin pa mëshirë një tjetër që qëndron i shtrirë në asfalt dhe mundohet të mbrohet, teksa disa të tjerë vështrojnë ngjarjen pa ndërhyrë.
Mes agresorëve mësohet se janë Fatjon Gjini rreth 35-vjeç, dhe Ervin Nikaj mbi 40-vjeç. Në sherr ka qenë i përfshirë dhe një minoren G. Prenga. Personi që po përpiqet të mbrohet i shtrirë në tokë është Redjan Margjonaj, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas informacioneve paraprake, Redjani kishte dalë xhiro me makinë në zonën e Kadastrës, dhe ka qenë i shoqëruar nga persona minorenë. Drejt makinës së tij kanë shkuar disa fëmijë të tjerë, që dyshohet se janë dërguar nga Fatjon Gjini për ta ofenduar.
Në këtë moment ka nisur sherri i dhunshëm, ku Redjani është shtrirë në tokë dhe është dhunuar me sende të forta nga Fatjon Gjini, me rroba të zeza dhe Ervin Nikaj me xhaketë të bardhë. Prezent ka qenë dhe minoreni G. Prenga.
I trembur nga situata, një prej personave adoleshentë që shoqëronte Redjan Margjonajn në makinë, ka marrë drejtimin e automjetit dhe ka përplasur Fatjon Gjinin, i cili ka marrë lëndime serioze në pjesën e kokës.
Më pas Redjani i lënduar dhe me fraktura nga dhuna barbare është larguar në drejtim të paditur, ndërsa Fatjoni është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës. Në ambientet e spitalit ka ndodhur dhe një konflikt tjetër mes familjes Gjini dhe një të afërmi të Redjan Margjonajt, që kishte shkuar për të parë Redjanin, duke menduar se ishte në spital.
Një ditë më parë, gjatë paradites së të enjtes, një tjetër sherr ka ndodhur në Lezhë, ku nipi i Fatjon Gjnit raportohet se ka dhunuar një 14-vjeçar, të afërm të Redjan Margjonajt. Familajrët thonë se kanë bërë disa denoncime në polici, por ende nuk janë marrë masat e nevojshme duke iu trembur një agravimi të situatës.
Sherri mes fiseve Gjini dhe Margjonaj mësohet se ka nisur muaj më parë, që në shtator të vitit të shkuar, për shkak të konfliktit banal të disa minorenëve. Ngjarja e sotme pasqyroi brutalitetin e dhunës me shkopinj në rrugët e vendit, duke krijuar një imazh aspak të këndshëm për qytetarët.
Ne do të vijojmë të pasqyrojmë detaje nga kjo ngjarje, duke shpresuar se dhe autoritetet do të reagojnë në kohë për të parandaluar pasoja më të rënda.
Një përleshje e dhunshme mes disa të rinjve ka ndodhur pak para mesditës së sotme në qytetin e Lezhës.
— JOQ Albania (@JoqAlbania) April 11, 2025
Sipas informacioneve të siguruara nga JOQ Albania, ngjarja ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Kadastrës. Disa të rinj janë parë teksa hyjnë në një lokal të zonës, ku më pas… pic.twitter.com/EQlrOS7dEE