Gjeneral Bislim Zyrapi, një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës së viteve 1998–1999, po përballet me një gjendje të rënduar shëndetësore.
Zyrapi vuan nga probleme serioze me veshkat dhe i nevojitet urgjentisht trajtim i specializuar mjekësor. Për shkak të kostove të larta të ndërhyrjes, familjarët e tij kanë kërkuar ndihmë publike përmes rrjeteve sociale.
Në mbështetje të thirrjes së tyre, ka reaguar fondacioni “Golden Eagle”, i cili ka dhuruar një shumë prej 10 mijë eurosh për trajtimin e gjeneralit. Fondacioni “Golden Eagel” është i njohur për kontributet e tij në ndihmë të personave në nevojë, dhe ky nuk është rasti i parë që solidarizohet me kauza humane.
Vetëm pak ditë më parë, “Golden Eagle” kontribuoi me 5 mijë euro për dy të rinj, Eraldi dhe Gjergji, 32 dhe 27 vjeç, të cilët vuajnë nga distrofia muskulore – një sëmundje e rëndë që i ka paralizuar plotësisht. Përmes këtij gjesti human, biznesmeni Shaqir Palushi u gjend pranë familjes së tyre duke ndihmuar për mbulimin e shpenzimeve të përditshme si ilaçet, pampersat dhe trajtimet mjekësore.